E bukura Shkodër!
Me traditat, historinë, kulturën e qytetarinë e saj ka marrë zemrat e shumë turistëve ndër vite, duke e kthyer atë në një destinacion që duhet shtuar patjetër në listën e vendeve për t’u vizituar.
Nëse ju ka marrë malli për pak qetësi e ëmbëlsi shkodrane ju ftojmë të lexoni artikullin e mëposhtëm:
Le ta nisim këtë guidë më disa nga vendet më të spikatura të qytetit.
E ndërtuar rreth shekullit të 20-të me detaje veneciane, Pedonalja e Shkodrës është kthyer në një rrugë që lidh qendrën me Muzeun Historik, e njëkohësisht detajet karakteristike me të kaluarën e vendit. Ndërtesat jo shumë të larta, shtëpitë e vjetra të rreshtuara me kujdes dhe rrugicat karakteristike janë disa nga perlat e arkitekturës, pa lënë pas edhe kafenetë klasike që ndërthuren me dyqanet e këndshme të pozicionuara pranë tyre.

Shëtitjet nuk janë asnjëherë të zakonshme në Shkodër! mrekulloheni nga bukuritë tradicionale të vendit, një muzikë e këndshme do ju shoqërojë përgjatë ecjes suaj. Nuk mund të lini pa vizituar Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, i cili është tepër i njohur për koleksionin e fotografisë shqiptare dhe historikun e fotografit të parë në Shqipëri, Pjetër Marubi.

Disa nga atraksionet më të preferuara:
Kalaja e Rozafës.
Sipas të dhënave nga gërmimet arkeologjike kalaja është një nga vendbanimet më të hershme të pellgut të Shkodrës. E emërtuar pas legjendës së famshme, sot e kësaj dite ajo vazhdon të ruajë vlera të shumta historike dhe të mbajë gjallë frymën e gojëdhënës, sipas së cilës është ngritur mbi trupin e Rozafës.

Xhamia e plumbit
është një tjetër monument kulturor i famshëm në këtë qytet, e ndërtuar në 1773 dhe e renditur ndër 50 më të bukurat në botë!

Kisha e Shirgjit, sot pjesë e komunës së Dajçit, shtrihet mbi lumin Bunë në veri të Shqipërisë. Edhe pse tashmë është e shkatërruar, kjo kishë e ndërtuar me një stil romak-gotik është e pavdekshme për sa i përket vlerave të jashtëzakonshme që mbart.

Ura e Mesit ndodhet rreth 8 km larg nga Shkodra, e vetmja urë e cila ka arritur të “mbijetojë” nga 3 që ishin në fillim. Ato çfarë e bën më interesante dhe të bukur janë harqet e ngritura mbi lumin e kristaltë Kir.

Vizita juaj në këtë qytet tradicional nuk mund të jetë e plotë pa kaluar pak minuta pranë liqenit të Shkodrës, i cilësuar si më i madhi në Ballkan. Ndërsa shijoni kulturën gastronomike të vendit, ajri i pastër do ju mbushë plot jetë.

Për t’u akomoduar në Shkodër keni plot mundësi të arsyeshme:


