Lini është një nga fshatrat turistikë më të bukur të Shqipërisë, i ngritur mbi një kodër buzë liqenit të Pogradecit, 22 km nga qyteti i tij. Jeta në këtë fshat paqësor ka filluar filluar në periudhën e parë të epokës së hekurit dhe ka vazhduar deri në kohën e mesjetës së hershme. Sipas gojëdhënave, thuhet se fshati ka qenë më i zgjeruar se tani, duke u shtrirë në një hapësirë që shkontë deri në mesin e liqenit, por sot e kësaj dite është mbledhur duke e kthyer atë në një strukturë të vogël piktoreske. Nuk mund të niseni për në Pogradec dhe të lini pa vizituar këtë bukuri natyrore, ku shtëpitë e vogla ndodhen njëra-pas tjetrës, rrugicat janë të shtruara me gurë dhe shëtitjet janë magjike!

Lini është i njohur për bazilikën e hershme kristiane me mozaikë, që i përket shekullit 4-5 të erës sonë, që dëshmon edhe për jetesën në mesjetën e hershme. tregimeve, mozaiku ka impresionuar ushtarët e Julius Cezarit dhe ishin pikërisht ata të cilët e emërtuan liqenin “Lyhnidas” (liqeni i dritës). Edhe sot, mbas 2000 vjetësh turistët vendas e të huaj vijnë në vendin ku qëndruan ushtarët e Cezarit. Ata vijnë këtu jo vetëm për të parë mozaikët e Linit, por gjithashtu për të vizituar varret monumentale të Selces, të cilat janë një tjetër vlerë historike e arkeologjike e vendit.

5 varret monumentale ndodhen në Selcën e Poshtme dhe ngrihen në shkëmbin e Gradishtës. Historia shpeshherë na përball me fakte të jashtëzakoshme, duke mos e përjashtuar as këtë rast, ku detajet na tregojnë për ekzistencën e një ish-qendre të zhvilluar ekonomike e kulturore dikur.

Përveç pjesës historike të tij, Lini dallohet edhe për plazhet me ujë të pastër, ku jo vetëm mund të merrni disa rreze dielli dhe të shijoni freskinë e liqenit, por edhe të organizoni piknikë, sidomos në pranverë dhe verë, të cilat shoqërohen nga moti i favorshëm. Një tjetër vend ku mund të organizoni piknikë është edhe ” Mulliri i Vjetër”. Këtu mund të vizitoni qendrën e rritjes së koranit dhe pse jo, të shijoni edhe një drekë të freskët në restorantet e fshatit.Gjatë netëve dëgjohen valët paqësore të liqenit, muzika më e këndshme për një mbrëmje të qetë, bashkë me zërin e pulëbardhave që shoqërojnë banorët e vendit.

Mikpritja nuk do mungojë as në këtë zonë të Shqipërisë! Atmosferën Linit ja krijojnë shtëpitë plot jetë të stolisura me lule bashkë me banorët që ju përshëndesin përzemërsisht në rrugën e këndshme.
